Telegram urimi me rastin e festës së 7 marsit, ditës së mësuesit

Publikuar më: 07.03.2012

Të nderuar mësues,

 

Më lejoni që në këtë ditë të shënuar për ju dhe për të gjithë kombin, t’iu shprehi urimet më të sinqerta për misionin tuaj fisnik dhe të pazëvendësueshëm.

 

Kjo ditë nuk shënon vetëm fillimin e mësimit të shkronjave shqipe, por mbi të gjitha simbolizon devotshmërinë, përkushtimin dhe sakrificën e mësimdhënësve shqiptarë, në veçanti të atyre që kontribuan në diasporë për mësimin plotësues në gjuhën shqipe.

 

Gjuha është emblema njohëse e identitetit dhe kulturës së një populli. Falë angazhimit dhe përkushtimit tuaj ne sot mburremi me të kaluarën dhe të sotmen, si dhe ecim të sigurtë drejt së ardhmes.

 

Vepra dhe kontributi i juaj është përgjegjësi e madhe për brezat e rinjë, të cilët u rritën dhe u edukuan të jenë brez i qytetarëve të BE – së, mirëpo gjithmonë duke e bartur me mburrje identitetin e tyre kombëtar si pjesë të familjes së madhe evropiane.

 

Nëse para 125 viteve, me 7 mars, u hap mësonjëtorja e parë shqipe, ju mësues të nderuar, me përkushtim dhe dinjitet,  e vazhduat rrugën e dijes duke e përhapur atë kudo që dëgjohej zëri i shqiptarëve. Ju i jetësuat ëndrrat e Pandeli Sotirit, Petro Nini Luarasit, Nuçi Naçit dhe Thoma Avramit.

 

Sot, kur në botë suksesshëm prezantohen të rinjë dhe të reja, në lëmi të ndryshme, ne sa mburremi me ta, po aq i japim të drejtë vetvetës të krenohemi se ditëm që edhe në momentet më të vështira në të cilat i kaluam si popull të investojmë në dijen e atyre që janë ardhmëria e këtij vendi.

 

Në këtë ditë të shënuar, ne kujtojmë me respekt të veçantë kontributin e jashtëzakonshëm të të gjithë brezave të mësimdhënësve të shkollës shqipe, kudo që ata vepruan duke e mbajtur të ndezur pishtarin e dijes dhe shpresës.

 

Do të përkulemi gjithnjë dhe do të jemi shumë mirënjohës për kontributin e mësimdhënësve për edukim dhe zhvillim të gjithëmbarshëm të shoqërisë. 

 

Urime 7 marsi, dita që shënon përkushtimin për dije dhe sakrificat për liri dhe shtet të pavarur, festa e cila shpalos të vërtetën se historia e rrugëtimit tonë si popull nuk do të kishte kuptim pa kontributin tuaj.


IBRAHIM MAKOLLI 
Ministër i Ministrisë së Diasporës

Rreth Portalit

Bashkatdhetarë të nderuar,

Është e drejtë themelore njerëzore ruajtja dhe kultivimi i identitetit kombëtar. Shenja e parë
dhe më e rëndësishme e këtij identiteti është gjuha amtare. Mësimi i gjuhës amtare në shkollë
nënkupton edhe mësimin për kulturën e origjinës dhe përbërësit e saj. Në kushtet e jetës jashtë
Atdheut ruajtja dhe zhvillimi i identitetit kombëtar vështirësohet dhe kjo manifestohet shumë më
tepër te brezat e rinj, posaçërisht te fëmijët e lindur atje. Prandaj, institucioni më i përshtatshëm,
ku mësohen e zhvillohen kompetencat gjuhësore e kulturore me përkujdesje profesionale,
është shkolla. Dhe kjo shkollë tashmë njihet me emërtimin Shkolla Shqipe e Mësimit Plotësues
në diasporë.


Portali “Gjuha ime” i dedikohet fëmijëve dhe të rinjve (nxënësve) shqiptarë të
cilët jetojnë jashtë Atdheut. Ky portal është pjesë e synimit të përhershëm për vetëdijesimin e
vazhdueshëm të brezave të rinj për gjuhën dhe kulturën e origjinës, si përparësi dhe veçanti e
identitetit të tyre personal e kolektiv kombëtar, në njërën anë, dhe si mbështetje e bazë e
mirë për integrimin e tyre në shoqërinë ku jetojnë, në anën tjetër.

 

Përmes këtij portali, të gjithë fëmijëve, kudo që ndodhen në diasporë do t’iu ofrojmë mundësinë
që ta mësojnë sa më lehtë gjuhën e tyre amtare. Përmes mundësive të cilat i ofron ky portal,
ata do ta ndjejnë se kudo që ndodhen i përkasin një shteti që kujdeset për ta dhe kudo që ata të
degëzohen, rrënjët i kanë këtu, në Kosovën e tyre.

 

Ky portal, si për nxënësit shqiptarë ashtu edhe për ata që dëshirojnë ta mësojnë gjuhën
shqipe, përbën një mësim shtesë krahas mësimit të rregullt dhe është një mbështetje e mirë në
formimin sa me të plotë të personalitetit të tyre, duke i zhvilluar dhe pasuruar kompetencat dhe
potencialet intelektuale, estetike, morale dhe sociale, duke nxitur njëkohësisht komunikimin dhe
bashkëpunimin në mes të kulturave të ndryshme.

 

Në portalin “Gjuha ime”, fëmijët e mërgimtarëve tanë përpos që do të kenë mundësinë ta
mësojnë gjuhën e tyre amtare, përmes Abetares “online”, ata do të kenë mundësinë të marrin
edhe njohurit të tjera, të cilat i mësojnë bashkëmoshatarët e tyre në vendlindje.
Gjithashtu, në këtë portal me lehtësi dhe saktësisht ju do të gjeni edhe informatat për shkollat
ku zhvillohet Mësimi Plotësues në Gjuhën Amtare si dhe do të njiheni për së afërmi me
planprogramet mësimore.

 

Portali “Gjuha ime” ofron mundësinë edhe të argëtimit nëpërmjet lojërave dhe kuizeve, të cilat
janë sajuar enkas për ngritjen e njohurive të fëmijëve lidhur me vendin e origjinës si dhe do të
mund të gjeni edhe shumë materiale të tjera që kanë të bëjnë me Kosovën.
Njëkohësisht, ju do të mund të njiheni edhe me të gjitha aktivitetet që do të jenë interesante për
fëmijët e juaj si dhe me zhvillimet e përgjithshme kulturore në Kosovë dhe diasporë.