Ministri Makolli hapi bibliotekën me lektyra shkollore në klasën me mësim plotësues në gjuhën shqipe në Linc

Publikuar më: 28.03.2012

Në shkollën e njohur Shkolla e Lartë Pedagogjike- Shkolla Evropiane Pädagogische Hochschule Oberösterreich - Europaschule të Lincit, ku zhvillojnë mësimin edhe shumë nxënës shqiptarë që mësojnë edhe mësimin plotësues në gjuhën shqipe, Ministri Ibrahim Makolli, para nxënësve të pranishëm, drejtorit të kësaj shkolle z. Hubert Hummer, ia dorëzoi një kontingjent tjetër prej 300 librash, lektyra shkollore, (60 tituj me nga 5 ekzemplarë) që përdoren në procesin mësimor të sistemit të edukimit fillor të Republikës së Kosovës.

 

Minsitri Makolli tha para nxënësve dhe të pranishmëve se Ministria e Diasporës do të kujdeset gjithmonë që nxënësit shkollës me mësim plotësues në Diasporë, edhe këtu në Linc, të kenë lektyrën e nevojshme në gjuhën amtare për të ruajtur e zhvilluar kulturën, gjuhën dhe identitetin.

 

Drejtori i shkollës z. Hummer, me emocion të veçantë falënderoi Ministrin Makolli për këtë kontribut të jashtëzakonshëm dhe pasuri e veçantë për nxënësit shqiptarë që janë në këtë shkollë dhe se këta libra do të vendosen në një kënd të veçantë e ku do të krijohet një sektor-minibibliotekë për librin shqip, që do ta shfrytëzojnë vazhdimisht nxënësit nga Kosova e nga Shqipëria dhe vendet e tjera.

Rreth Portalit

Bashkatdhetarë të nderuar,

Është e drejtë themelore njerëzore ruajtja dhe kultivimi i identitetit kombëtar. Shenja e parë
dhe më e rëndësishme e këtij identiteti është gjuha amtare. Mësimi i gjuhës amtare në shkollë
nënkupton edhe mësimin për kulturën e origjinës dhe përbërësit e saj. Në kushtet e jetës jashtë
Atdheut ruajtja dhe zhvillimi i identitetit kombëtar vështirësohet dhe kjo manifestohet shumë më
tepër te brezat e rinj, posaçërisht te fëmijët e lindur atje. Prandaj, institucioni më i përshtatshëm,
ku mësohen e zhvillohen kompetencat gjuhësore e kulturore me përkujdesje profesionale,
është shkolla. Dhe kjo shkollë tashmë njihet me emërtimin Shkolla Shqipe e Mësimit Plotësues
në diasporë.


Portali “Gjuha ime” i dedikohet fëmijëve dhe të rinjve (nxënësve) shqiptarë të
cilët jetojnë jashtë Atdheut. Ky portal është pjesë e synimit të përhershëm për vetëdijesimin e
vazhdueshëm të brezave të rinj për gjuhën dhe kulturën e origjinës, si përparësi dhe veçanti e
identitetit të tyre personal e kolektiv kombëtar, në njërën anë, dhe si mbështetje e bazë e
mirë për integrimin e tyre në shoqërinë ku jetojnë, në anën tjetër.

 

Përmes këtij portali, të gjithë fëmijëve, kudo që ndodhen në diasporë do t’iu ofrojmë mundësinë
që ta mësojnë sa më lehtë gjuhën e tyre amtare. Përmes mundësive të cilat i ofron ky portal,
ata do ta ndjejnë se kudo që ndodhen i përkasin një shteti që kujdeset për ta dhe kudo që ata të
degëzohen, rrënjët i kanë këtu, në Kosovën e tyre.

 

Ky portal, si për nxënësit shqiptarë ashtu edhe për ata që dëshirojnë ta mësojnë gjuhën
shqipe, përbën një mësim shtesë krahas mësimit të rregullt dhe është një mbështetje e mirë në
formimin sa me të plotë të personalitetit të tyre, duke i zhvilluar dhe pasuruar kompetencat dhe
potencialet intelektuale, estetike, morale dhe sociale, duke nxitur njëkohësisht komunikimin dhe
bashkëpunimin në mes të kulturave të ndryshme.

 

Në portalin “Gjuha ime”, fëmijët e mërgimtarëve tanë përpos që do të kenë mundësinë ta
mësojnë gjuhën e tyre amtare, përmes Abetares “online”, ata do të kenë mundësinë të marrin
edhe njohurit të tjera, të cilat i mësojnë bashkëmoshatarët e tyre në vendlindje.
Gjithashtu, në këtë portal me lehtësi dhe saktësisht ju do të gjeni edhe informatat për shkollat
ku zhvillohet Mësimi Plotësues në Gjuhën Amtare si dhe do të njiheni për së afërmi me
planprogramet mësimore.

 

Portali “Gjuha ime” ofron mundësinë edhe të argëtimit nëpërmjet lojërave dhe kuizeve, të cilat
janë sajuar enkas për ngritjen e njohurive të fëmijëve lidhur me vendin e origjinës si dhe do të
mund të gjeni edhe shumë materiale të tjera që kanë të bëjnë me Kosovën.
Njëkohësisht, ju do të mund të njiheni edhe me të gjitha aktivitetet që do të jenë interesante për
fëmijët e juaj si dhe me zhvillimet e përgjithshme kulturore në Kosovë dhe diasporë.