Pse duhet ta mësojmë gjuhën shqipe

Gjuhën shqipe duhet ta mësojmë, sepse ajo është gjuha jonë, është gjuha e nënës sonë, është gjuha e gjyshërve tanë e stërgjyshërve tanë të stërlashtë. Është gjuhë e ëmbël, e pasur, e bukur dhe një nga gjuhët më të lashta të Evropës dhe të njerëzimit. E mbi të gjitha gjuha shqipe është gjuha e identitetit tonë kombëtar. Gjuha shqipe na e përcakton qenien tonë shqiptare. Dhe kombet e tjera të qytetruara do të na çmojnë, aq sa e çmojmë ne vetvetën, aq sa e çmojmë gjuhën shqipe dhe kulturën tonë. Mendimin tonë ne mund ta thellojmë dhe ta shprehim vetëm aq sa e njohim gjuhën tonë. Aq sa do ta mësojmë gjuhën shqipe , aq mund t’ i mësojmë edhe gjuhët tjera, prandaj, sa më shumë ta zotërojmë gjuhën e nënës, aq më shumë dhe aq më mirë i zotërojmë edhe gjuhët e kulturat e popujve tjerë.

“Kurrë nuk kemi të drejtë të quhemi komb i qytetëruar, sado që të mësojmë gjuhë të huaja, sepse kombi nuk qytetërohet vetëm me mësimin e gjuhëve të huaja, por me mësimin e gjuhës së vet”,, thoshte rilindësi ynë Filip Shiroka.

“Gjuha Shqipe është i vetmi mjet i ndriçimit dhe i përparimit moral.Ajo është një gjuhë e fuqishme dhe e bukur që duhet të jetë krenaria e folësve të saj dhe një mjet i shenjtë për zhvillimin kulturor dhe intelektual të kombit të vjetër shqiptar”, thotë gjuhëtari me famë botërore Holger Petersen.
 
Kurse për Mit’hat Frashërin: “Themelin e diturisë dhe të atdhetarisë e përbën gjuha Shqipe”..

Gjuhëtari ynë i madh Eqrem Çabej shton:
“Gjuha është pasqyra më e qartë e një kombi dhe e kulturës së tij”.
“Gjuha shqipe ka aq pasuri fjalësh e është e ardhshme e plot gjallëri e jetë, sa mund të përkthehen në të klasikët e çdo kombi, e çdo kohe”.
“Gjuha pasqyron një kombësi, ajo është pasqyra më e qartë e një kombësie dhe e kulturës së saj. Shkalla e pasurisë dhe e pastërtisë së gjuhës është tregues i nivelit të kësaj kulture”.
“Gjuha është sendi më i çmueshëm i një populli dhe për popullin shqiptar është i vetmi thesar”.

E për poetin Gjovalin Shkurtaj: “Mbrojtja e gjuhës është detyrë dhe peng nderi për çdo shqiptar”.
“Ai që e zotëron gjuhën e vet vlen më tepër se ai që pushton një qytet”, thotë, thotë një mendimtar i lashtë.

Një proverb latin na meson: “Gjuha e keqe sjell shumë të këqija”!

Gjuhëtari e filosofi Heidegger shton: “Gjuha është një institucion mbi të gjitha institucionet”.
Rilindësit tanë gjuhën shqipe e bekonin dhe e çmonin si "Gjuhë Perendie". Prandaj, ta mësojmë GJUHËN SHQIPE.

Rreth Portalit

Bashkatdhetarë të nderuar,

Është e drejtë themelore njerëzore ruajtja dhe kultivimi i identitetit kombëtar. Shenja e parë
dhe më e rëndësishme e këtij identiteti është gjuha amtare. Mësimi i gjuhës amtare në shkollë
nënkupton edhe mësimin për kulturën e origjinës dhe përbërësit e saj. Në kushtet e jetës jashtë
Atdheut ruajtja dhe zhvillimi i identitetit kombëtar vështirësohet dhe kjo manifestohet shumë më
tepër te brezat e rinj, posaçërisht te fëmijët e lindur atje. Prandaj, institucioni më i përshtatshëm,
ku mësohen e zhvillohen kompetencat gjuhësore e kulturore me përkujdesje profesionale,
është shkolla. Dhe kjo shkollë tashmë njihet me emërtimin Shkolla Shqipe e Mësimit Plotësues
në diasporë.


Portali “Gjuha ime” i dedikohet fëmijëve dhe të rinjve (nxënësve) shqiptarë të
cilët jetojnë jashtë Atdheut. Ky portal është pjesë e synimit të përhershëm për vetëdijesimin e
vazhdueshëm të brezave të rinj për gjuhën dhe kulturën e origjinës, si përparësi dhe veçanti e
identitetit të tyre personal e kolektiv kombëtar, në njërën anë, dhe si mbështetje e bazë e
mirë për integrimin e tyre në shoqërinë ku jetojnë, në anën tjetër.

 

Përmes këtij portali, të gjithë fëmijëve, kudo që ndodhen në diasporë do t’iu ofrojmë mundësinë
që ta mësojnë sa më lehtë gjuhën e tyre amtare. Përmes mundësive të cilat i ofron ky portal,
ata do ta ndjejnë se kudo që ndodhen i përkasin një shteti që kujdeset për ta dhe kudo që ata të
degëzohen, rrënjët i kanë këtu, në Kosovën e tyre.

 

Ky portal, si për nxënësit shqiptarë ashtu edhe për ata që dëshirojnë ta mësojnë gjuhën
shqipe, përbën një mësim shtesë krahas mësimit të rregullt dhe është një mbështetje e mirë në
formimin sa me të plotë të personalitetit të tyre, duke i zhvilluar dhe pasuruar kompetencat dhe
potencialet intelektuale, estetike, morale dhe sociale, duke nxitur njëkohësisht komunikimin dhe
bashkëpunimin në mes të kulturave të ndryshme.

 

Në portalin “Gjuha ime”, fëmijët e mërgimtarëve tanë përpos që do të kenë mundësinë ta
mësojnë gjuhën e tyre amtare, përmes Abetares “online”, ata do të kenë mundësinë të marrin
edhe njohurit të tjera, të cilat i mësojnë bashkëmoshatarët e tyre në vendlindje.
Gjithashtu, në këtë portal me lehtësi dhe saktësisht ju do të gjeni edhe informatat për shkollat
ku zhvillohet Mësimi Plotësues në Gjuhën Amtare si dhe do të njiheni për së afërmi me
planprogramet mësimore.

 

Portali “Gjuha ime” ofron mundësinë edhe të argëtimit nëpërmjet lojërave dhe kuizeve, të cilat
janë sajuar enkas për ngritjen e njohurive të fëmijëve lidhur me vendin e origjinës si dhe do të
mund të gjeni edhe shumë materiale të tjera që kanë të bëjnë me Kosovën.
Njëkohësisht, ju do të mund të njiheni edhe me të gjitha aktivitetet që do të jenë interesante për
fëmijët e juaj si dhe me zhvillimet e përgjithshme kulturore në Kosovë dhe diasporë.