Diaspora

Republika e Kosovës ka një diasporë të fortë dhe numerikisht të madhe. Diaspora e Kosovës,  në mbarë botën, mund të jetë burim i avantazhit politik dhe ekonomik.

 

Si shumë kombe dhe popuj të tjerë, edhe ne gjithmonë kemi pasur diasporë të fuqishme dhe dinamike, të zëshme, në rrugën e lirisë, demokracisë e drejtësisë.  Fillet e disaporës janë mjaft të vjetra. Në shekullin XV pas vdekjes së Skënderbeut dhe invazionit osman, mijëra familje shqiptare u larguan nga atdheu duke kaluar Adriatikun dhe vendosjen e tyre permanente ne Itali, dhe shqiptarët apo arbëreshët si u quajtën, vunë themelet  e një komuniteti të organizuar dhe që do të mbijetonte sot e kësaj dite. Zhvendosja e popullatës nga trevat tona vazhdoi gjithnjë nga ajo kohë e deri në fund ditët tona. U krijua kështu diaspora e Ukrainës, e Rusisë, e Bullgarisë, Rumanisë, e Arbneshëve të Zarës, e Egjiptit, etj, dhe të gjitha këto diaspora edhe më tutje ruajnë ku më shumë e ku më pak identitetin kulturor e pak a shumë edhe atë gjuhësor të vendit të origjinës, por që gjithnjë e më shumë po i ofrohen asimilimit të plotë. Në këtë periudhë u krijua edhe një diasporë e fortë në SHBA, e cila edhe sot është shumë e organizuar dhe i ka kontribuar në të gjitha fazat vendit të origjinës.

 

Pas vitit 1912 krijohet një diasporë shumë e madhe nga Kosova në Turqi, por edhe në Siri e vendet tjera arabe. Pas Luftës së Dytë Botërore, fillon krijimi i diasporës nga Kosova edhe në Evropë, që u rritë në vitet 70-ta dhe u bë shumë e madhe në vitet 90-ta si pasojë e diskriminimit dhe e dhunës shtetërore të Serbisë në Kosovë dhe trevat tjera shqiptare. Sot diaspora e Kosovës në Evropë është mjaft e madhe dhe e organizuar.

 

Diaspora ka luajtur rol me rëndësi në të gjitha kohët, por ndihmën më të madhe e ka dhënë në periudhën e  e viteve 90-ta dhe ajo e luftës së UÇK-së, në të cilën kohë ka luajtur rol vendimtar për fatin e Kosovës. Ndihma financiare e Diasporës ka qenë dhe vazhdon të jetë edhe sot shumë e madhe.

 

Diaspora, nuk është  trajtuar sa duhet institucionalisht – në formë të organizuar në të mirë të zhvillimit të shtetit të Kosovës. Pjesëtarët e Diasporës presin që Qeveria e Kosovës të bëjë për ta atë që nuk është bërë asnjëherë deri me tash. Por, edhe Qeveria Kosovës asnjëherë nuk ka qenë kaq shumë e përkushtuar sa tash për Diasporën e që kjo dëshmohet me formimin e Ministrisë së Diasporës. Detyrë primare e MeD është krijimi i autoritetit të qëndrueshëm qeveritar, që do të merret me problemet e diasporës, gjithmonë në mbështetje të ligjit, mundësisht në përafrim me legjislacionin e BE-së.   

 

Merita më e madhë i përket diaspoërs sonë e cila me devotshmëri dhe angazhim të lartë mbajti të gjallë identitetin,gjuhën, kulturën dhe traditat e vendit të origjinës.

 

Numri i pjestarëve të diasporës është mjaft i madh, rreth 1/3 e popullatës së Kosovës, gjendet jashtë vendlindjes. Për këtë arsye ata janë një burim i pashtershëm i avanantazhit në zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës. Diasporës tonë i nevojitet ndihma institucionale e Republikës së Kosovës, ndihmë kjo që do të jepet nga Qeveria e Republikës së Kosovës nëpërmjet Ministrisë së Diasporës.

 

Diaspora jonë është një rezervë e rëndësishme e burimit njerzor të pregatitur dhe të kualifikuar për procesin e integrimit europian.

Rreth Portalit

Bashkatdhetarë të nderuar,

Është e drejtë themelore njerëzore ruajtja dhe kultivimi i identitetit kombëtar. Shenja e parë
dhe më e rëndësishme e këtij identiteti është gjuha amtare. Mësimi i gjuhës amtare në shkollë
nënkupton edhe mësimin për kulturën e origjinës dhe përbërësit e saj. Në kushtet e jetës jashtë
Atdheut ruajtja dhe zhvillimi i identitetit kombëtar vështirësohet dhe kjo manifestohet shumë më
tepër te brezat e rinj, posaçërisht te fëmijët e lindur atje. Prandaj, institucioni më i përshtatshëm,
ku mësohen e zhvillohen kompetencat gjuhësore e kulturore me përkujdesje profesionale,
është shkolla. Dhe kjo shkollë tashmë njihet me emërtimin Shkolla Shqipe e Mësimit Plotësues
në diasporë.


Portali “Gjuha ime” i dedikohet fëmijëve dhe të rinjve (nxënësve) shqiptarë të
cilët jetojnë jashtë Atdheut. Ky portal është pjesë e synimit të përhershëm për vetëdijesimin e
vazhdueshëm të brezave të rinj për gjuhën dhe kulturën e origjinës, si përparësi dhe veçanti e
identitetit të tyre personal e kolektiv kombëtar, në njërën anë, dhe si mbështetje e bazë e
mirë për integrimin e tyre në shoqërinë ku jetojnë, në anën tjetër.

 

Përmes këtij portali, të gjithë fëmijëve, kudo që ndodhen në diasporë do t’iu ofrojmë mundësinë
që ta mësojnë sa më lehtë gjuhën e tyre amtare. Përmes mundësive të cilat i ofron ky portal,
ata do ta ndjejnë se kudo që ndodhen i përkasin një shteti që kujdeset për ta dhe kudo që ata të
degëzohen, rrënjët i kanë këtu, në Kosovën e tyre.

 

Ky portal, si për nxënësit shqiptarë ashtu edhe për ata që dëshirojnë ta mësojnë gjuhën
shqipe, përbën një mësim shtesë krahas mësimit të rregullt dhe është një mbështetje e mirë në
formimin sa me të plotë të personalitetit të tyre, duke i zhvilluar dhe pasuruar kompetencat dhe
potencialet intelektuale, estetike, morale dhe sociale, duke nxitur njëkohësisht komunikimin dhe
bashkëpunimin në mes të kulturave të ndryshme.

 

Në portalin “Gjuha ime”, fëmijët e mërgimtarëve tanë përpos që do të kenë mundësinë ta
mësojnë gjuhën e tyre amtare, përmes Abetares “online”, ata do të kenë mundësinë të marrin
edhe njohurit të tjera, të cilat i mësojnë bashkëmoshatarët e tyre në vendlindje.
Gjithashtu, në këtë portal me lehtësi dhe saktësisht ju do të gjeni edhe informatat për shkollat
ku zhvillohet Mësimi Plotësues në Gjuhën Amtare si dhe do të njiheni për së afërmi me
planprogramet mësimore.

 

Portali “Gjuha ime” ofron mundësinë edhe të argëtimit nëpërmjet lojërave dhe kuizeve, të cilat
janë sajuar enkas për ngritjen e njohurive të fëmijëve lidhur me vendin e origjinës si dhe do të
mund të gjeni edhe shumë materiale të tjera që kanë të bëjnë me Kosovën.
Njëkohësisht, ju do të mund të njiheni edhe me të gjitha aktivitetet që do të jenë interesante për
fëmijët e juaj si dhe me zhvillimet e përgjithshme kulturore në Kosovë dhe diasporë.